Një atmosferë më e qetë po ndihet në dhomën e zhveshjes së Real Madridit, pas një periudhe të shoqëruar me mosmarrëveshje dhe tensione të brendshme.
Sipas “Marca”, José Mourinho duket se ka arritur të krijojë një lidhje të fortë me lojtarët më me peshë të skuadrës, të cilët vlerësojnë veçanërisht afrimitetin e trajnerit portugez dhe mënyrën se si ai menaxhon grupin.
“Janë shumë të kënaqur me të. Është një njeri shumë i thjeshtë dhe i afërt”, bëjnë me dije burime pranë Real Madridit.
Përtej respektit që Mourinho gëzon për shkak të karrierës së tij, mënyra se si ai sillet çdo ditë me futbollistët po konsiderohet një element kyç. Trajneri qëndron shpesh me lojtarët pas stërvitjes, bën shaka me ta dhe përpiqet ta trajtojë secilin sipas karakterit të tij.
“Ai di shumë mirë si t’i menaxhojë egot dhe e kupton secilin lojtar”, thuhet nga ambientet e klubit.
Ndryshimi bëhet edhe më i dukshëm në krahasim me periudhat e mëparshme. Etapat me Xabi Alonson dhe Arbeloan u shoqëruan me disa përplasje me pjesëtarë të skuadrës, duke krijuar distancë mes stafit teknik dhe disa futbollistëve.
Situata tani paraqitet ndryshe. Lojtarët me më shumë ndikim në skuadër janë të kënaqur me trajtimin që po marrin dhe me një stil menaxhimi që kombinon autoritetin, eksperiencën dhe afrimitetin.
Mourinho duket se ka arritur jo vetëm të lidhet me grupin, por edhe të fitojë besimin e tij.
Përtej rezultateve në fushë, portugezi kishte vendosur si një nga prioritetet e tij rikthimin e harmonisë në dhomën e zhveshjes dhe, sipas atmosferës që përcillet nga Valdebebas, skuadra ndihet tashmë më komode me trajnerin dhe marrëdhënia me stafin teknik është bërë më e qetë.











