Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se protesta e studentëve, e cila nisi me kërkesa legjitime, është ndikuar nga forca të tjera dhe se përshkallëzimi i dhunës ishte përgatitur prej disa muajsh.
Rama tha se Policia e Shtetit disponon të dhëna për futjen në Shqipëri të maskave, lëndëve eksplozive dhe organizimin e grupeve që, sipas tij, janë pjesë e rrjetit Antifa.
Kryeministri deklaroi gjithashtu se një pjesë e pjesëmarrësve në aktet e dhunshme janë financuar nga krimi i organizuar dhe forca të huaja. Ai akuzoi Partinë Demokratike se ka marrë përgjegjësinë për dhunën e ushtruar gjatë protestës pranë Ministrisë së Arsimit.
“Që kur nisi protesta e flamingove, kam thënë se arsyet për të protestuar janë legjitime. Arsyet për të kërkuar më shumë dhe më mirë mund të jenë të pafundme. Por ajo protestë ishte e influencuar nga forca të tjera dhe kjo ka qenë një fakt.
Ka qenë një fakt që në këtë valë të dytë dhe të dhunshme është evidentuar në të gjithë përmasën e vet. Përshkallëzimi është përgatitur prej disa muajsh. Të dhënat për futjen në Shqipëri të maskave, të lëndëve eksplozive e kështu me radhë, përmes doganave dhe nga subjekte të caktuara, janë në duart e Policisë së Shtetit.
Të dhënat e organizimit të grupeve si pjesë e rrjetit Antifa janë në duart e Policisë së Shtetit. Në duart e Policisë së Shtetit janë edhe pjesëmarrësit, apo më saktë, një pjesë e pjesëmarrësve në këtë dhunë, të financuar drejtpërdrejt nga krimi i organizuar dhe nga forca të huaja, si dhe nga para të ardhura nga jashtë, ku padyshim qershia mbi tortë, ose glasa mbi tortë, është PD-ja, e cila dje mori autorësinë e dhunës te Ministria e Arsimit”, tha Rama.











