Joshua Kimmich nuk do të jetë në dispozicion të Bayern Munich për sfidën e sotme të Champions League ndaj Arsenalit, pas ndarjes nga jeta të një personi të afërt të familjes së tij.
Klubi bavarez konfirmoi zyrtarisht mungesën e mesfushorit 31-vjeçar dhe kërkoi respektimin e privatësisë së tij në këtë moment të vështirë.
“Në emër të familjes, kërkojmë që privatësia dhe dhimbja e tij të respektohen dhe të mos bëhen pyetje të mëtejshme apo publikime mbi këtë çështje. E gjithë familja e Bayern është pranë Joshua Kimmich dhe i shpreh ngushëllimet më të thella”, thuhet në komunikatën e klubit.
Kimmich nuk është përfshirë në skuadër për ndeshjen ndaj Arsenalit dhe drejtuesit e Bayern i kanë dhënë të gjithë kohën e nevojshme për të qëndruar pranë familjes.
Mungesa e tij është e rëndësishme për bavarezët, pasi kapiteni i Gjermanisë mbetet një nga lojtarët kryesorë në mesfushë dhe një prej liderëve të skuadrës.
Stafi teknik i Bayern tashmë duhet të gjejë një tjetër zgjidhje në qendër të mesfushës për përballjen ndaj “Topçinjve” në Champions League.











