Luis Enrique fitoi edhe një tjetër betejë taktike në fitoren e PSG-së ndaj Barcelonës, duke zgjedhur Lucas Hernández në krahun e majtë të mbrojtjes për të frenuar Lamine Yamal.
Në orët para ndeshjes ishte përfolur mundësia që trajneri spanjoll të përdorte një mesfushor në atë pozicion për shkak të mungesës së Nuno Mendes, por Luis Enrique preferoi eksperiencën e Hernández.
Zgjedhja funksionoi që në pjesën e parë. Francezi qëndroi vazhdimisht pranë Yamal dhe i kufizoi ndjeshëm hapësirat, ndërsa PSG mori kontrollin e lojës që në minutat e para.
Dominimi i parisienëve u konkretizua pak para pushimit, kur Désiré Doué realizoi me një goditje të fuqishme nga jashtë zonës.
Në pjesën e dytë, Lucas Hernández jo vetëm që vazhdoi punën e mirë në mbrojtje, por u bë protagonist edhe në sulm, duke shënuar me kokë për t’i dhënë sërish avantazhin PSG-së.
Më pas Luis Enrique e zëvendësoi Hernández me Zaïre-Emery dhe Barcelona reagoi menjëherë. Vetëm pak sekonda më vonë, Lamine Yamal gjeti golin e barazimit.
Megjithatë, PSG tregoi edhe një herë forcën e tij në fundin e ndeshjes. Vitinha dhe Fabián Ruiz realizuan dy golat që vulosën fitoren 4-2 dhe një tjetër mbrëmje të madhe për kampionët e Europës.
Zgjedhja e Luis Enriques për Lucas Hernández rezultoi vendimtare, si për të kufizuar Yamal, ashtu edhe për kontributin direkt të francezit në rezultat.











