Hansi Flick ka shmangur polemikat përpara sfidës së Barcelonës ndaj PSG-së në Champions League, duke refuzuar të komentojë episodin e diskutueshëm të Arda Güler në ndeshjen Real Madrid-Sevilla.
Trajneri i Barcelonës u pyet drejtpërdrejt për aksionin e turkut, por zgjodhi të mos hyjë në debat.
“E pashë çfarë ndodhi, por nuk dua të përgjigjem. Kjo nuk është një pyetje për mua, duhet të pyesni dikë tjetër”, deklaroi Flick.
Gjermani preferoi të përqendrohej te sfida me PSG-në, duke vlerësuar maksimalisht Luis Enrique dhe skuadrën franceze.
“Është një nga trajnerët më të mirë në botë. Më pëlqen dinamika e skuadrës së tij, intensiteti dhe fleksibiliteti. PSG është një ekip mbresëlënës.”
Flick e cilësoi përballjen si një test të rëndësishëm për Barcelonën.
“Dua që skuadra ime të jetë e guximshme, të luajë me besim dhe të qëndrojë e bashkuar. Po luajmë ndaj një prej skuadrave më të mira dhe kjo është një mundësi për të treguar se çfarë mund të bëjmë.”
Një lajm i mirë për katalanasit është rikthimi i Raphinhas. I pyetur nëse braziliani është gati për të nisur si titullar, Flick u përgjigj shkurt: “Po”.
Trajneri zbuloi gjithashtu se Frenkie de Jong mund të përdoret në qendër të mbrojtjes, ndërsa Barcelona ka grumbulluar edhe Alex Campos si alternativë.
Sa i përket El Clásicos, Flick ishte i qartë se për momentin mendja e tij është vetëm te PSG.
“Cila është më e rëndësishme, El Clásico apo ndeshja e nesërme? Ndeshja e nesërme.”
Flick theksoi gjithashtu se kontrolli i topit do të jetë një nga elementët kyç të sfidës në “Parc des Princes”.
“Posedimi do të jetë zemra e ndeshjes. Duhet të shmangim gabimet dhe humbjet e lehta të topit që mund të sjellin tranzicione, por duhet të jemi të guximshëm.”











