Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar masa ndaj familjeve të të miturve që, sipas tij, u përfshinë në akte dhune gjatë protestës në Tiranë.
Rama u shpreh se prindërit do të mbajnë përgjegjësi për dëmet e shkaktuara nga fëmijët e tyre, duke theksuar se fatura e dëmeve do t’i shoqërojë deri në fund.
“U them të gjitha familjeve të atyre fëmijëve, që do ta paguani. I lini rrugëve nga 13 vjeç të marrin rolin e mburojës së të tjerëve. Fatura e atyre dëmeve do t’ju përndjekë deri në fund”, deklaroi Rama.
Kreu i qeverisë paralajmëroi gjithashtu se të miturit që kanë dhunuar policinë nuk do të përfitojnë më arsim falas, duke deklaruar se nuk do të marrin asnjë fond nga taksat e qytetarëve shqiptarë.
“Nuk do të kthehen në shkollë normalisht. Nuk do të kenë arsim falas ata që dalin e dhunojnë policët, pasi kanë hedhur gurë ndaj prindërve të fëmijëve të tjerë. Asnjë kokërr leku nuk do të marrin nga taksat e shqiptarëve”, u shpreh Rama.











