Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, ka reaguar pas sulmit ndaj Komisariatit nr. 3 në Tiranë, duke deklaruar se dhuna gjatë protestave ka kaluar kufijtë dhe se bilanci i gjashtë ditëve të fundit shkon në 295 persona të lënduar, mes tyre 186 punonjës policie.
Gjatë një conference për media së bashku me kryeministrin Edi Rama, Demo u ndal te sulmi ndaj godinës së komisariatit, ku sipas tij, efektivë të Policisë së Shtetit janë lënduar, disa prej tyre me djegie në trup, teksa mbronin ambientet e institucionit.
“Ka ndodhur diçka që ka kaluar vijën e kuqe dje, komisariati numër 3 është sulmuar nga protestuesit. Janë dëmtuar punonjës policie deri me djegie të trupit të tyre, duke mbrojtur godinën e Policisë së Shtetit. Elementët e dhunës kanë arritur nivele që tregojnë se nuk është protestë studentore. Kemi pasur sulme ndaj objekteve të caktuara politike, por ka edhe nga ata të mitur që kanë gjetur azil politik në një parti të caktuar. Janë 295 të lënduar në këto 6 ditë të fundit. 186 janë punonjës policie. Ju jeni ata që duhet të keni mbështetje maksimale. Dhuna nuk ka vend në një shoqëri demokratike”, theksoi ai.
Ministri e cilësoi sulmin ndaj Komisariatit nr. 3 si një zhvillim që, sipas tij, e ka kaluar vijën e kuqe, ndërsa ngriti shqetësimin për përshkallëzimin e akteve të dhunës gjatë protestave.
Demo kërkoi gjithashtu mbështetje maksimale për punonjësit e Policisë së Shtetit, duke nënvizuar se dhuna nuk duhet të ketë vend në një shoqëri demokratike.











