Drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, zbriti sot në terren në bulevard, duke marrë drejtimin e forcave të rendit kundër protestuesve.
Por kjo lëvizje nuk ishte ristrukturim i forcave të rendit, por erdhi për arsyen e plagosjes së drejtorit të Policisë së Tiranës, Oliger Torba. Ky i fundit ka shkuar në spital për mjekim me krahun e fashuar.
Prania e tij në ambientet e spitalit erdhi në një kohë kur situata në kryeqytet ishte tensionuar, për shkak të përplasjeve mes protestuesve dhe forcave të rendit dhe për këtë arsye, Hita zbriti në terren.
Deri më tani, nuk ka detaje të plota mbi rrethanat në të cilat është dëmtuar drejtori i Policisë së Tiranës, apo mbi momentin kur ka marrë dëmtimin në krah.
Gjatë orëve të fundit, situata në Tiranë është shoqëruar me incidente, sulme ndaj institucioneve dhe ndërhyrje të policisë për shpërndarjen e turmave. Efektivët kanë përdorur gaz lotsjellës për të larguar protestuesit, ndërsa janë raportuar edhe aksione policore në rrugët e kryeqytetit.











