Interi është rikthyer menjëherë te fitorja pas zhgënjimit në Champions League, duke mposhtur Bolognan 3-1 në “Dall’Ara” pas një përmbysjeje të plotë.
Skuadra e Cristian Chivut e nisi keq takimin dhe u ndëshkua herët. Luis Henrique humbi një top të rrezikshëm dhe Pobega përfitoi për të mposhtur Josep Martinez, duke kaluar Bolognan në avantazh.
Vendasit patën mundësi edhe për golin e dytë, por Interi arriti të reagojë përpara pushimit. Në minutën e 43-të, Barella harkoi bukur në zonë dhe Marcus Thuram, me kokë, dërgoi topin në rrjetë për 1-1.
Në pjesën e dytë, zikaltrit rritën ndjeshëm ritmin dhe morën kontrollin e ndeshjes.
Momenti vendimtar erdhi në minutën e 69-të, kur Chivu aktivizoi Carlos Auguston në vend të Dimarcos. Braziliani la gjurmë menjëherë, duke shënuar vetëm pak sekonda pasi hyri në fushë.
Pas një harkimi të Zielinskit, Carlos Augusto u gjend i lirë në shtyllën e dytë dhe realizoi golin e përmbysjes për 2-1.
Mbrojtësi brazilian u bë protagonist edhe në golin e tretë. Pas një aksioni të bukur të Interit, ai dërgoi një top të ulët në zonë dhe Bonny nuk gaboi nga pranë, duke vulosur rezultatin 3-1.
Interi largohet kështu nga Bologna me tri pikë të rëndësishme dhe një reagim të fortë pas humbjes ndaj Club Brugge në Champions League.











