Shefi i sigurisë së Iranit, Mohsen Rezaei, tha se SHBA-të kanë rënë dakord me disa nga shtatë kushtet e Teheranit për të rihapur Ngushticën e Hormuzit dhe për të filluar bisedimet e paqes. Por ai tha se përgjigjja e Uashingtonit ishte “e pamjaftueshme”. Rezaei nuk i detajoi shtatë kushtet dhe as nuk specifikoi se cilat i ka hedhur poshtë SHBA-ja.
Por ai më parë i ka thënë Al Jazeera-s se kushtet përfshijnë përfundimin e luftës në të gjitha frontet, lirimin e fondeve të ngrira iraniane, heqjen e bllokadës detare amerikane ndaj Iranit, përfundimin e ndërhyrjes së Uashingtonit në punët e brendshme të Iranit dhe përfundimin e të gjitha sulmeve amerikane në territorin iranian. Ai paralajmëroi gjithashtu se Ngushtica e Hormuzit nuk do të rihapet derisa të përmbushen të gjitha kushtet e Iranit.
Sakaq, Departamenti Amerikan i Shtetit u ka kërkuar amerikanëve të tregojnë “kujdes të jashtëzakonshëm” kur udhëtojnë nëpër aeroportet kryesore në Arabinë Saudite pas sulmeve të përsëritura ndaj objekteve në Riad, si dhe në Dammam.
Në një postim në X, TravelGov, llogaria zyrtare e Byrosë së Çështjeve Konsullore të departamentit, tha se ishte në dijeni të sulmeve të tjera në aeroportin ndërkombëtar King Khalid në Riad, si dhe të një sulmi të synuar në aeroportin ndërkombëtar King Fahd në Dammam. Departamenti tha se punonjësit e qeverisë amerikane në Arabinë Saudite kërkojnë autorizim të veçantë për të përdorur aeroportet në Riad, Xheda dhe Dammam.
Ndërkohë kujtojmë se në person humbi jetën dhe 11 të tjerë mbetën të plagosur nga sulmi i fundit i rebelëve Huthi në aeroportin e Riadit. Ky është sulmi i dytë brenda 2 ditëve. Të shtunën, aeroporti King Khalid u sulmua duke shkaktuar 12 viktima e rreth 309 të tjerë të plagosur.











