Atlético Madrid ka ndezur sërish polemikat pas derbit, këtë herë duke ironizuar rikuperimin e shpejtë të Federico Valverdes dhe raportin mjekësor të Real Madridit.
Mesfushori uruguaian u dëmtua në derbi pas një ndërhyrjeje të Kang-in Lee, episod për të cilin Komiteti Teknik i Arbitrave pranoi më pas se lojtari duhej të ishte ndëshkuar me karton të kuq.
Real Madridi njoftoi se Valverde kishte pësuar një ndrydhje të gradës së tretë në kyçin e këmbës, dëmtim që zakonisht kërkon një periudhë të gjatë rikuperimi. Për këtë arsye, ai nuk iu bashkua as kombëtares së Uruguait gjatë grumbullimit.
Megjithatë, vetëm 18 ditë më vonë, Valverde u rikthye në stërvitje me skuadrën dhe u përfshi edhe në listën e të grumbulluarve për ndeshjen ndaj Villarrealit.
Kjo bëri që Atlético Madrid të reagojë me ironi në rrjetet sociale.
“Duam të përgëzojmë Real Madridin që vazhdon të shkruajë historinë, duke provuar se 100% e komunitetit mjekësor botëror ishte gabim”, shkroi klubi madrilen.
Postimi shoqërohej edhe me hashtagë ironikë si “#MiracleRecovery”, “#MedicalReport” dhe “#Grade3Sprain”.
Ky është episodi i radhës i tensioneve mes dy klubeve pas derbit, me Atlético që po përdor gjithnjë e më shpesh rrjetet sociale për t’iu kundërpërgjigjur Real Madridit.











