Policia ka identifikuar autorin e kërcënimit me eksploziv ndaj një biznesi në Peshkopi, ngjarje që alarmoi zonën pranë spitalit.
Bëhet fjalë për Zija Shulkën, i cili dyshohet se i ka dërguar pronarit të një karburanti një pako me një mesazh kërcënues, duke i kërkuar 50 milionë lekë.
Kërkesa shoqërohej me paralajmërimin se, nëse shuma nuk paguhej brenda dy orësh, biznesi do të hidhej në erë.
Pakoja ishte lënë në një kuti picash, brenda së cilës, përveç letrës me kërkesën për para, ndodhej edhe një material i dyshuar si lëndë shpërthyese.
Ngjarja u sinjalizua në polici, duke sjellë menjëherë izolimin e zonës dhe marrjen e masave të sigurisë. Për disa orë, policia mbajti të rrethuar perimetrin pranë karburantit, ndërsa në vendngjarje u angazhuan edhe specialistë të çminimit dhe neutralizimit të lëndëve shpërthyese.
Hetuesit nisën verifikimet për të zbuluar se kush qëndronte pas kërcënimit. Pamjet e kamerave të sigurisë, të ndërthurura me veprime të tjera hetimore, kanë çuar në identifikimin e Zija Shulkut si personi i dyshuar për ngjarjen.
Tashmë hetimi vijon për të dokumentuar plotësisht dinamikën e ngjarjes, mënyrën e sigurimit dhe vendosjes së materialit të dyshuar shpërthyes, si dhe motivin që qëndron pas kërkesës për 50 milionë lekë.











