Kievi është përfshirë nga një valë e re sulmesh ruse, që ka dëmtuar infrastrukturën kritike dhe ka shkaktuar kaos në qarkullim. Kryebashkiaku Vitali Klitschko tha se sulmet po e “shkatërrojnë” qytetin, ndërsa disa ura mbi lumin Dnipro u mbyllën pjesërisht ose plotësisht.
Sulmet me dronë shkaktuan dëme në një shkollë dhe në Urën Jugore të Kievit, ndërsa u raportuan edhe zjarre në ndërtesa banimi. Sipas autoriteteve të qytetit, një person humbi jetën dhe dy të tjerë u plagosën. Mbyllja e urave shkaktoi bllokime të mëdha trafiku dhe vështirësoi lëvizjen mes dy anëve të kryeqytetit.
Sulmet kanë prekur gjithashtu sektorin energjetik. Autoritetet ukrainase thonë se infrastruktura e energjisë është bërë një nga objektivat kryesore të goditjeve ruse, duke rritur shqetësimet për furnizimin me energji përpara dimrit. Moska thotë se objektivat e goditura kanë përdorim ushtarak.











