Pesë propozime arkitekturore për një nga projektet e reja që synojnë të formësojnë panoramën e Tiranës. Nisma vjen nga sipërmarrja private, ndërsa konkursi publik është kërkuar nga shteti, me pesë vizione të ndryshme që do të përballen përpara një jurie ndërkombëtare.
Në lidhje me këtë proces, kryeministri Edi Rama ka folur edhe për mundësitë që bashkëpunimi me arkitektë të huaj u krijon profesionistëve shqiptarë për të fituar eksperiencë dhe për t’u zhvilluar profesionalisht.
“Ka diçka shumë të qartë për mua: xhelozia e njerëzve mediokër, të cilët kapen pas nacionalizmit, pasaportës, kapen pas faktit që janë pjesë e komunitetit lokal. Dhe nuk kapen pas profesionit, argumenteve dhe pas mundësisë për të qenë konkurrues.
Janë shumë arkitektë shqiptarë që janë pjesë e punës me arkitektët e huaj. Kjo e bën Shqipërinë vendin ku arkitektët vendas kanë mundësinë, më shumë se në shumë vende të tjera, të rriten profesionalisht duke punuar me arkitektë të nivelit të lartë.
Shqipëria dhe Tirana janë universiteti më i madh në natyrë i arkitekturës. Arkitektët kanë mundësinë të punojnë me mjeshtra. Për të bërë një stazh me këta mjeshtra ke një shans 1 në 1 mijë. Mund të mos kesh kurrë shansin ta takosh dhe të flasësh sy më sy. Ndërkohë që këtu vjen dhe ti je pjesë e projektimit bashkë me të.
Disa vite më pas, ne do të kemi arkitektë tanët që do të jenë në gjendje të konkurrojnë edhe përtej Shqipërisë dhe do të jenë pjesë e kësaj elite.
Ndërtimi i kullave është kaq kompleks, kaq delikat dhe kërkon kaq shumë profesionistë, saqë duhet ta pranojmë që nuk e kemi ende në Shqipëri kapacitetin për ndërtime të kësaj natyre. Duhet ta pranojmë. I kemi parë tentativat dhe e dimë që kjo do të vijë hap pas hapi.
Këtu nuk kemi të bëjmë me një komunitet biznesmenësh që vijnë nga gjithë anët e botës për të shfrytëzuar Shqipërinë. Këtu kemi të bëjmë me një komunitet dijesh, talentesh, vizionesh e krijuesish që sjellin në Shqipëri profesionalizmin e tyre”, tha Rama.











