Një 28-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe i dënuar për vrasje është arrestuar në Itali dhe pritet të ekstradohet drejt Shqipërisë.
Policia e Shtetit njofton se në pranga është vënë shtetasi Vangjel Balla, 28 vjeç, lindur në Dibër.
Balla ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër e kishte dënuar në vitin 2020 me 12 vite burg për veprën penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim.
Sipas Policisë së Shtetit, nga dënimi i dhënë, 28-vjeçarit i kanë mbetur për të vuajtur edhe 9 vite burg.
Autoritetet shqiptare bëjnë me dije se ngjarja për të cilën Balla është dënuar ka ndodhur pas një konflikti për motive të dobëta.
Sipas hetimeve, ai, së bashku me vëllain e tij, shtetasin me inicialet A. B., kanë vrarë me mjet prerës, thikë, shtetasin A. Z., alias I. Z.
Arrestimi i 28-vjeçarit në Itali është kryer me qëllim ekstradimin e tij drejt Shqipërisë, ku duhet të vuajë pjesën e mbetur të dënimit.











