Spanja vazhdon të shkruajë historinë. Pas fitores 3-2 ndaj Anglisë në “Wembley”, skuadra e Luis de la Fuentes ka arritur në 39 ndeshje radhazi pa humbje, duke vendosur një rekord të ri për kombëtaret.
“La Roja” ka kaluar rekordin e Italisë, e cila kishte arritur në 37 ndeshje pa humbje. Seria aktuale e Spanjës përfshin 30 fitore dhe nëntë barazime, ndërsa disfata e fundit daton në miqësoren ndaj Kolumbisë, të humbur 1-0.
Spanja barazoi rekordin e Italisë në gjysmëfinalen e Botërorit ndaj Francës dhe më pas e kaloi atë në finalen kundër Argjentinës. Me triumfin e fundit ndaj Anglisë, seria është zgjatur edhe më tej.
Pas Spanjës dhe Italisë vjen Argjentina, e cila kishte arritur në 36 ndeshje pa humbje mes viteve 2019 dhe 2022, përpara se seria të ndërpritej nga Arabia Saudite në Botërorin e Katarit.
Një tjetër statistikë e veçantë lidhet me Fabián Ruiz. Mesfushori ka arritur në 51 ndeshje me Spanjën pa pësuar humbje, pasi nuk ishte në fushë në disfatën ndaj Kolumbisë. Ai është tashmë shumë pranë rekordit të Carlos Marchena, i cili kishte regjistruar 57 paraqitje pa humbje me kombëtaren.











