Granit Xhaka është përfshirë në një çështje ligjore në Zvicër, pasi Prokuroria e Lucernës ka hapur procedim ndaj kapitenit të kombëtares dhe një mjekeje, lidhur me dyshimet për një certifikatë vaksinimi kundër Covid-19.
Sipas raportimeve të RMC Sport dhe mediave zvicerane, 33-vjeçari dyshohet se gjatë pandemisë ka siguruar një certifikatë vaksinimi pa e kryer realisht vaksinën. Hetimi lidhet me një mjeke nga Lucerna, zyra e së cilës ishte kontrolluar nga policia që në vitin 2023 dhe që dyshohet se ka lëshuar certifikata pa administruar vaksinat përkatëse.
Në bazë të legjislacionit zviceran, falsifikimi i dokumenteve dhe sigurimi në mënyrë të paligjshme i certifikatave mund të dënohen deri në pesë vite burg, çka ka bërë që rasti të marrë përmasa të mëdha mediatike.
Xhaka i mohon akuzat. Përfaqësuesit e tij kanë bërë të ditur se futbollisti do të bashkëpunojë plotësisht me autoritetet, ndërsa mjekja në fjalë pretendon se e ka vaksinuar lojtarin. Kapiteni i Zvicrës pritet të dëshmojë para prokurorëve në fillim të tetorit.
Për momentin, as Xhaka dhe as mjekja nuk janë shpallur fajtorë dhe çështja mbetet nën hetim. Mesfushori i Sunderland vazhdon ndërkohë angazhimet me kombëtaren zvicerane gjatë grumbullimit aktual.











