Njoftimi i Donald Trump për një marrëveshje të re sigurie me Danimarkën dhe Groenlandën po shihet në NATO si një mundësi për të forcuar mbrojtjen e Arktikut dhe Atlantikut të Veriut.
Marrëveshja, detajet e plota të së cilës ende nuk janë bërë publike, parashikon rritjen e pranisë ushtarake amerikane në Groenlandë dhe pengimin e Rusisë dhe Kinës për të krijuar baza ushtarake në ishull. Danimarka dhe Groenlanda kanë theksuar se marrëveshja nuk cenon sovranitetin e tyre.
Ministri i Jashtëm danez Lars Løkke Rasmussen tha se marrëveshja duhet të forcojë sigurinë në Arktik dhe Atlantikun e Veriut dhe, për rrjedhojë, sigurinë e përbashkët brenda NATO-s dhe Europës. Edhe ekspertë të Këshillit Atlantik e kanë cilësuar zhvillimin si një mundësi për të riparuar tensionet e krijuara mes SHBA-së dhe aleatëve europianë gjatë debatit për të ardhmen e Groenlandës.
NATO ka kohë që e konsideron Arktikun një zonë strategjike, veçanërisht për shkak të rritjes së aktivitetit ushtarak të Rusisë dhe bashkëpunimit ruso-kinez në rajon.











