Kryeministri Edi Rama, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit Delina Ibrahimaj dhe ministri i Financave Petrit Malaj zhvilluan një takim me përfaqësues të supermarketeve dhe furnitorët kryesorë në vend. “Pasqyra e Çmimeve” është platforma e re digjitale që synon të rrisë transparencën dhe t’u mundësojë qytetarëve të krahasojnë çmimet e produkteve.
Platforma pritet të nisë së shpejti në një fazë pilot.
Ajo do të mbledhë të dhëna për çmimet reale të produkteve në pikat e shitjes, duke përfshirë TVSH-në, njësinë matëse, barkodin, adresat e dyqaneve dhe, sipas standardeve që do të përcaktohen, edhe informacionin nëse një produkt është apo jo në stok.
Gjatë takimit, Rama kërkoi bashkëpunimin e supermarketeve dhe furnitorëve për vendosjen në funksion të platformës, duke theksuar se qëllimi nuk është përcaktimi i çmimeve apo kufizimi i fitimeve, por krijimi i një tregu më transparent për konsumatorin.
“Eksperiencat që janë analizuar tregojnë që supermarketet kanë gjetur një gjuhë të përbashkët me qeveritë e caktuara”, u shpreh ai.
Më tej, shefi i qeverisë tha se vetëm një nga aktorët e pranishëm ishte përgjigjur deri në atë moment, ndërsa u bëri thirrje të tjerëve të përfshihen në proces.
“Askush nuk ju kërkon që të ndaloni së fituari. Por nuk ju lejojmë të ngarkoni njerëzit, këtë ju a siguroj, do jetë problem i madh. Do thoni në djall ato që po i fitojmë pa të drejtë. S’kam arsye të kem asgjë personale me askënd. Nuk po ju kërkojmë të bëni sakrifica apo bamirësi, fitoni, por lini të tjerët të marrin frymë. Është e papranueshme që çmimet këtu janë mbi të tjerët. Shifrat e BSH thonë që zhvlerësimi i euros duhet të sillte ulje çmimesh, që inflacioni i importuar ka rënë dhe që me produktet e brendshme këtu bëhet nami.”, tha Rama











