Zinedine Zidane nis zyrtarisht aventurën si trajner i Francës këtë të premte, kur do të publikojë grumbullimin e tij të parë. Bashkë me stafin, ish-trajneri i Real Madridit ka vendosur një sërë rregullash të reja që synojnë të mbrojnë sa më shumë skuadrën dhe lojtarët nga ekspozimi i tepërt mediatik.
Ndryshimi i parë do të shihet që në publikimin e listës. Njoftimi do të bëhet në selinë e Federatës Franceze, por pa praninë e kamerave të televizioneve. Pamjet dhe konferenca do të transmetohen vetëm përmes kanaleve zyrtare të FFF-së, ndryshe nga epoka e Didier Deschamps.
Zidane ka vendosur gjithashtu të kufizojë praninë masive të mediave jashtë Clairefontaine, ku zakonisht filmohej mbërritja e futbollistëve. Edhe në këtë rast, Federata do të kontrollojë pamjet që do t’u shpërndahen mediave, me synimin për t’u dhënë më shumë qetësi lojtarëve.
Nga ana tjetër, gazetarët do të kenë më shumë akses në zonat mikse gjatë ditëve të para të grumbullimit, duke pasur mundësi të komunikojnë me më shumë futbollistë sesa në periudhën e Deschamps.
Vetë Zidane nuk do të japë intervista individuale gjatë grumbullimit të parë. Ai do të kufizohet në daljet zyrtare përpara mediave, me tetë konferenca të planifikuara nga publikimi i listës më 18 shtator deri në ndeshjen ndaj Belgjikës më 5 tetor në “Stade de France”.










