Mes tensioneve është zhvilluar mbledhja e kësaj të enjteje në Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste, ku pak para nisjes së seancës plenare, deputetët socialistë janë mbledhur, siç ndodh zakonisht, për të diskutuar mbi rendin e ditës dhe zhvillimet e fundit politike.
Por këtë herë mbledhja është shoqëruar edhe me debate dhe tone të larta. Burime për Euroneës bëjnë me dije se ka qenë deputeti Erion Braçe ai që është dëgjuar të ngrejë zërin gjatë mbledhjes, duke kërkuar nga kolegët e tij socialistë që grupi parlamentar të dalë me një qëndrim lidhur me përfaqësuesit e drejtësisë që u paraqitën dy ditë më parë në Komisionin e Ligjeve.
Sipas burimeve brenda mbledhjes së Grupit Parlamentar të PS-së, kërkesa e Braçes ka qenë që socialistët të mbajnë një qëndrim lidhur me sjelljen e gjyqtarëve dhe prokurorëve gjatë seancës dëgjimore në Kuvend.
“Duhet të dalim me një qëndrim se gjyqtarët në Kuvend nuk kishin respekt”, mësohet të ketë kërkuar Braçe gjatë diskutimit me kolegët e tij.
Në fokus të debatit ka qenë pikërisht seanca e zhvilluar dy ditë më parë në Komisionin e Ligjeve, ku ishin të ftuar përfaqësues të sistemit të drejtësisë për të diskutuar mbi projektligjin.
Komisioni i Ligjeve ishte hallka e fundit parlamentare për shqyrtimin e këtij projektligji, përpara kalimit të tij në seancë plenare.
Sipas burimeve diskutimi në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS-së është përqendruar te mënyra se si përfaqësuesit e drejtësisë u paraqitën përballë deputetëve gjatë shqyrtimit të projektligjit, ndërsa Braçe ka insistuar që kjo çështje të mos mbetet pa një qëndrim nga ana e shumicës.











