João Pedro po kalon një moment të jashtëzakonshëm te Chelsea dhe po konfirmon pse Barcelona e kishte vendosur në listën e objektivave gjatë verës. Sulmuesi brazilian, i cili në fund qëndroi në Londër dhe rinovoi kontratën deri në vitin 2032, është kthyer në një nga figurat kryesore të skuadrës së Xabi Alonsos.
24-vjeçari e kishte mbyllur sezonin e kaluar me 20 gola dhe gjashtë asistime në 50 ndeshje, ndërsa këtë edicion e ka nisur edhe më fuqishëm. Në katër ndeshjet e para të Premier League ka realizuar gjashtë gola, ndërsa forma e tij i solli edhe çmimin “Lojtari i Muajit” për gushtin dhe rikthimin në kombëtaren e Brazilit.
Barcelona e kishte ndjekur nga afër situatën e tij. Deco ishte takuar me përfaqësuesit e João Pedros në Londër dhe sulmuesi ishte i hapur ndaj një kalimi në “Camp Nou”, por vlerësimi i lartë i Chelsea, që kishte paguar rreth 70 milionë euro për të, e komplikoi operacionin. Më pas, londinezët e blinduan me një kontratë të përmirësuar ekonomikisht.
Xabi Alonso nuk i ka kursyer elozhet për sulmuesin e tij, madje duke e krahasuar me Karim Benzeman. “Më kujton Benzeman në shumë aspekte. Është i mirë brenda dhe jashtë zonës, lëviz shumë mirë, është i fortë në ajër, shumë i kompletuar dhe inteligjent”, deklaroi trajneri i Chelsea.
Sipas Xabit, João Pedro është tashmë mes sulmuesve më të mirë të Premier League, në një nivel ku ai përmendi edhe Erling Haaland. Për Barcelonën mbetet kujtimi i një objektivi që mund të kishte përfunduar në “Camp Nou”, ndërsa Chelsea po shijon shpërthimin e një futbollisti që po merr gjithnjë e më shumë statusin e yllit në Stamford Bridge.











