Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është dënuar me 25 vjet burgim nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Aktgjykimi dënues u shpall nga kryetari i trupit gjykues, Charles Smith. Vendimi mund të ankimohet nga pala mbrojtëse në instancat përkatëse.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi u arrestuan dhe u transferuan në paraburgimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës më 4 dhe 5 nëntor 2020.
Që prej atëherë, katër ish-drejtuesit e UÇK-së qëndruan në paraburgim, ndërsa ndaj tyre u zhvillua një proces i gjatë gjyqësor në Hagë, nën akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të cilat Prokuroria pretendonte se ishin kryer gjatë luftës në Kosovë.
Në aktakuzë, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi akuzoheshin për një sërë veprash penale që, sipas Prokurorisë, ishin kryer në disa qendra ndalimi gjatë periudhës 1998-1999.
Prokuroria e Specializuar i kishte bërë ata përgjegjës për krimet e pretenduara, duke argumentuar se kishin qenë në dijeni të tyre ose se, në rrethana të caktuara, duhej të kishin qenë në dijeni për kryerjen e tyre.
Procesi gjyqësor ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së zgjati më shumë se tre vjet, ndërsa vendimi ndaj tyre u shpall pas shqyrtimit të mijëra provave dhe dëshmive.










