Për Rodrygon, muajt e fundit kanë qenë shumë më tepër sesa një rikuperim fizik. Kanë qenë një betejë me veten, me frikën, dhimbjen dhe kujtimet e një nate që mund t’i kishte ndryshuar karrierën. Më 2 mars, ndaj Getafes në “Bernabéu”, braziliani pësoi këputje të ligamentit të kryqëzuar dhe dëmtim të meniskut në gjurin e djathtë. Megjithatë, ai qëndroi edhe 25 minuta në fushë, duke u përpjekur të ndihmonte skuadrën.
Sot, ajo natë duket gjithnjë e më larg. Rodrygo ka rikthyer buzëqeshjen dhe entuziazmin, ndërsa çdo mëngjes në Valdebebas e nis me energjinë e një futbollisti që mezi pret të kthehet aty ku ndihet më mirë: në fushë. Dhimbja po mbetet pas dhe, mbi të gjitha, braziliani duket se ka fituar edhe betejën mendore.
Një rol të madh në këtë rikthim ka luajtur edhe transformimi i tij fizik. Rodrygo po punon me metodën e quajtur “body recomposition”, duke ulur përqindjen e yndyrës trupore dhe duke rritur masën muskulore pa shtuar peshë. Rezultatet tashmë janë të dukshme: më i fortë, më i fuqishëm dhe më i përgatitur për duelet fizike, por me të njëjtën lehtësi që e ka karakterizuar gjithmonë lojën e tij.
Pas tij qëndrojnë familja, trajneri personal Marcel Duarte dhe fizioterapisti Davide Violati, me çdo hap të rikuperimit të planifikuar deri në detajin më të vogël. Rodrygo ndihet më mirë se kurrë dhe është i bindur se mund të rikthehet edhe më i fortë se përpara dëmtimit.
Mjekët kërkojnë durim dhe plani është që ai të nisë rikthimin gradual me skuadrën në janar, me synimin që të jetë pranë formës së plotë për Superkupën e Spanjës në fillim të shkurtit. Por Rodrygo ka një dëshirë tjetër në mendje: të mund të luajë disa minuta në Kupën e Mbretit më 16 dhjetor. Pas muajsh të vështirë, ai tashmë sheh dritë në fund të tunelit dhe është gati të nisë një kapitull të ri.











