Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Turk, ka bërë thirrje për veprime urgjente për rregullimin e sistemeve të avancuara të Inteligjencës Artificiale, duke paralajmëruar për rreziqe të papara që mund të prekin të ardhmen e njerëzimit.
Turk u ka kërkuar shteteve dhe kompanive teknologjike të bashkëpunojnë në kuadër të forumeve shumëpalëshe për të përcaktuar rregulla të përbashkëta për zhvillimin e IA-së. Sipas tij, përparimi i shpejtë i kësaj teknologjie po ekspozon gjithnjë e më shumë jetën e njerëzve ndaj rreziqeve serioze.
Sipas raportimeve nga mediat e huaja, ai paralajmëroi se sistemet autonome të IA-së mund të shkaktojnë ndërprerje të shërbimeve thelbësore, komunikimeve dhe infrastrukturës kritike, si dhe të ndikojnë në institucionet demokratike. Rreziku, sipas tij, prek një gamë të gjerë të të drejtave të njeriut, përfshirë jetën, ushqimin, privatësinë, shëndetin dhe sigurinë.
Shqetësimet për zhvillimin e pakontrolluar të IA-së janë shtuar edhe brenda industrisë së teknologjisë, ndërsa disa drejtues të kompanive të mëdha kanë kërkuar më shumë kujdes dhe kohë për të vlerësuar rreziqet e sistemeve të reja. Në të njëjtën kohë, presidenti amerikan Donald Trump dhe drejtues të partisë së tij kanë kundërshtuar idenë e ngadalësimit të zhvillimit të Inteligjencës Artificiale, duke e konsideruar teknologjinë një çështje të rëndësishme strategjike për Shtetet e Bashkuara.
Komisioneri i OKB-së u ka bërë thirrje veçanërisht kompanive në SHBA dhe Kinë, të cilat udhëheqin zhvillimin e IA-së, të ndërmarrin masa për të kufizuar rreziqet. Ai theksoi se vetërregullimi i industrisë është një hap i nevojshëm, por nuk mjafton pa rregulla ndërkombëtare. Sipas tij, asnjë shtet dhe asnjë kompani nuk duhet të ketë mundësinë të vendosë e vetme se cilat rreziqe të Inteligjencës Artificiale duhet të pranojë bota.










