Hansi Flick ka kërkuar të ulë euforinë te Barcelona përpara ndeshjes ndaj Levantes, pavarësisht formës së mirë të skuadrës. Trajneri gjerman është i kënaqur me nivelin e ekipit, por insistoi se sezoni është i gjatë dhe se asgjë nuk duhet marrë si e mirëqenë.
“Jam i lumtur me atë që po shoh, por në futboll gjithçka mund të ndryshojë shumë shpejt. Nëse ndryshon diçka në qëndrimin tonë, do të marrim rrugën e gabuar”, deklaroi Flick.
Gjermani vlerësoi veçanërisht Raphinhan, duke e konsideruar një prej lojtarëve më të mirë në botë kur është në formë, ndërsa për Cubarsín tha se Botërori e ka ngritur në një tjetër nivel. Flick gjithashtu konfirmoi se do të vazhdojë me rotacionet, pasi ka dy ose tre alternativa për shumë pozicione.
Trajneri theksoi se objektivi është të ruhet uria për përmirësim dhe të mendohet vetëm për ndeshjen e radhës. “Jemi në rrugën e duhur, por rruga është shumë e gjatë”, shtoi ai.
Flick foli edhe për objektivat e sezonit, duke pranuar se Champions League mbetet një ëndërr, por se fitimi i La Ligës për të tretin vit radhazi do të ishte gjithashtu diçka e jashtëzakonshme.











