Ish-kryeministri i vendit, Sali Berisha, mori pjesë në Konventën e Partisë Republikane. I shoqëruar nga aleati i tij Fatmir Mediu, dy politikanët shqiptarë ndoqën nga afër fjalën e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës si dhe shtrënguan duart me disa zyrtarë amerikanë.
E teksa kjo vizitë në SHBA e liderit historik të së djathtës shqiptare ka qenë kryefjalë përgjatë këtyre ditëve, kjo dhe për shkak të statusit të tij “non grata” nga amerikanët, aktivistja shqiptaro-amerikane Evi Kokalari ka ngritur një sërë pikëpytjesh sa i përket pjesëmarrjes së Berishës në Konventën e Partisë Republikane.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kokalari, e cila dikur u bë mike e Berishës, e tani janë “armiq” të hapur, ka bërë me dije se ky organizim i republikanëve ka qenë me qëllim për mbledhje fondesh dhe secili prej të pranishmëve ka depozituar shuma të konsiderueshme.
E si rrjedhojë ajo ka ngritur pyetjen: “Kur të gjithë republikanët paguajnë vetë, mendoni realisht se Berisha dhe Mediu kanë shkuar pa paguar siç gënjejnë?”.
Ndërkohë, pjesë e këtij postimi të Kokalari është bërë edhe Chris LaCivita, një prej figurave të rëndësishme të strukturës republikane dhe një prej njerëzve të afërt me fushatat e Donald Trump. Pikërisht roli i tij në organizimin dhe mbledhjen e fondeve është ai që Kokalari kërkon të vendosë nën lupën e një investigimi më të thelluar. Sipas saj, çështja nuk lidhet thjesht me pjesëmarrjen e Berishës dhe Mediut në këtë aktivitet, por me mënyrën se si janë administruar pagesat dhe fondet e mbledhura gjatë tij.
Kokalari ngre dyshime mbi transparencën e këtij procesi, duke kërkuar të bëhet e qartë se kush ka paguar, sa është paguar dhe në çfarë forme janë kryer këto pagesa.
“Jo vetëm që kanë paguar, por, duke ditur se LaCivita është marrë me mbledhjen e fondeve, lind pyetja se si dhe ku është bërë pagesa. Kjo ka realisht nevojë për investigim, jo për Berishën, sepse ai tashmë është kthyer në një “meme”, por për aferat e LaCivitës, i cili nuk duhet të jetë më pjesë e RNC-së. Në fakt, edhe për kaq, le të falënderojë Susie Ëiles, sepse Trump nuk ka ndonjë simpati për të”, shkruan ajo ndër të tjera.
Postimi i plotë:
Ky kuvend është organizuar vetëm për mbledhje fondesh, kështu që, kur të gjithë republikanët paguajnë vetë, mendoni realisht se Berisha dhe Mediu kanë shkuar pa paguar siç gënjejnë?
Jo vetëm që kanë paguar, por, duke ditur se LaCivita është marrë me mbledhjen e fondeve, lind pyetja se si dhe ku është bërë pagesa. Kjo ka realisht nevojë për investigim, jo për Berishën, sepse ai tashmë është kthyer në një “meme”, por për aferat e LaCivitës, i cili nuk duhet të jetë më pjesë e RNC-së. Në fakt, edhe për kaq, le të falënderojë Susie Ëiles, sepse Trump nuk ka ndonjë simpati për të.
Më poshtë keni përkthimin e njoftimit të njërës prej degëve të Partisë Republikane, ku theksohet pikërisht fakti se ky nuk është një kuvend tradicional, por më shumë një superaktivitet për mbledhjen e fondeve për fushatën e nëntorit.
“Sipas RNC-së, kjo është një veprimtari për mbledhjen e fondeve dhe një tubim me bileta, jo një kuvend kombëtar tradicional. Nuk do të zhvillohet asnjë aktivitet zyrtar partiak dhe nuk do të ketë zgjedhje delegatësh. Përkundrazi, kjo veprimtari është organizuar për të kremtuar lëvizjen “Amerika e Para”, ndërkohë që mblidhen fonde për të ndihmuar degët e Partisë Republikane në të gjithë vendin që të fitojnë në nëntor.”
Të njëjtën gjë e shpjegon edhe dega e Partisë Republikane në Michigan, si edhe një investigim i The Neë York Times, që thotë se deri në $88,000 kushton një foto me Trump…











