Për shumë njerëz, viti i ri nuk nis më vetëm në janar. Me përfundimin e verës dhe rikthimin e rutinës, shtatori po shndërrohet në një lloj “viti të ri të dytë”, ku njerëzit vendosin të ndryshojnë zakonet, të organizojnë jetën dhe të nisin nga e para.
Fenomeni, i njohur si “September reset” ose “autumn reset”, po bëhet një trend i fortë lifestyle dhe wellness. Rrjetet sociale janë mbushur me rutina të reja, lista objektivash, organizim të shtëpisë, rikthim në palestër dhe plane për një version “më të mirë” të vetes.
Por pse pikërisht shtatori?
Ndryshe nga janari, kur shumë njerëz vendosin objektiva të mëdha pas festave, shtatori sjell një ndjesi më natyrale rikthimi në normalitet. Pushimet përfundojnë, fëmijët kthehen në shkollë, njerëzit rikthehen në zyra dhe ditët fillojnë të marrin sërish një strukturë.
Një studim i fundit në Britani zbuloi se 44% e të rriturve e konsiderojnë shtatorin një moment ideal për të rifilluar zakone më të shëndetshme, ndërsa 40% thanë se motivimi pas verës i shtyn të bëjnë ndryshime në stilin e jetesës.
Në fokus nuk janë domosdoshmërisht ndryshimet drastike. “September reset” lidhet më shumë me gjëra të vogla: rikthimin e një orari të rregullt gjumi, më shumë aktivitet fizik, ushqyerje më të mirë, më pak kohë në telefon, organizimin e shtëpisë apo thjesht krijimin e një rutine që funksionon më mirë.
Edhe moda dhe bukuria po i bashkohen këtij rituali sezonal. Me ardhjen e vjeshtës, shumë njerëz e shohin ndryshimin e garderobës, një prerje të re flokësh, një rutinë të re skincare apo një stil të ri si pjesë të këtij “restarti”.
Ekspertët paralajmërojnë megjithatë se ideja nuk duhet të kthehet në një tjetër listë presioni. Qëllimi nuk është të ndryshosh gjithçka brenda një dite, por të rregullosh gradualisht zakonet që nuk funksionojnë.
Madje, disa ekspertë preferojnë termin “recalibration” – rikalibrim, në vend të “reset”. Ideja është të ndalosh për pak, të shohësh se çfarë po funksionon në jetën tënde dhe çfarë jo, dhe të bësh ndryshime të vogla e të realizueshme.
Kështu, ndërsa vera largohet dhe vjeshta nis, shtatori po fiton një rol të ri: jo thjesht fundi i pushimeve, por një mundësi për të nisur sërish.
Një “janar” i dytë, vetëm se këtë herë pa premtime të pamundura.











