Arrestimi i të shumëkërkuarit Ylli Zalla në një zonë të pyllëzuar në Nikël, pasi gjatë dëshmisë së tij në Gjykatën e Posaçme, 49-vjeçari pretendoi se është vetë dorëzuar.
Por duket se pamjet e publikuara së fundmi, e rrëzojnë këtë pretendim të Zallës. Ky i fundit, nga pamjet e filmuara nga droni i teknologjisë së lartë “Bayraktar”, shihet i armatosur në një zonë të pyllëzuar në Nikël.
49-vjeçari mban në krah një armë zjarri kallashnikov, teksa ishte duke patrulluar në zonë. Policia e mbajti në mbikëqyrje, teksa pak momente më vonë, në 17 gusht, ka arritur ta prangosë.
Gjatë fjalës së tij në seancën për masën e sigurisë në GJKKO, Zalla ka kundërshtuar versionin se është përpjekur t’i shpëtojë RENEA-s, duke thënë se ka qenë vetë ai që ka dalë përballë efektivëve dhe është dorëzuar.
“Jam vetëdorëzuar, i prisja që të vinin. Isha aty afër. Policia e Shtetit, policia e Tiranës edhe e Krujës më kanë futur në hasmëri me gjithë zonën dhe duan të më vrasin”, është shprehur ai.
Zalla ishte shpallur në kërkim prej nëntorit të vitit të kaluar. Për arrestimin e tij u angazhuan forcat RENEA, ndërsa operacioni tërhoqi vëmendje edhe për faktin se ai kishte mundur t’u shpëtonte disa kontrolleve të policisë.
Një ditë para arrestimit të tij, një sasi e konsiderueshme tritoli iu vendos në shtëpinë e tij në fshatin Zallë në Fushë Krujë.
Sakaq edhe nga arratia Zalla ka dalë publikisht dhe ka mohuar gjithmonë lidhjen e tij me atentatin e Rinasit. Në një intervistë për gazetarin Spartak Koka, ai tha se ditën e atentatit ndodhej në banesën e tij në Fushë-Krujë dhe më pas kishte shkuar për disa orë në Patok.
Sipas Zallës, për ngjarjen kishte mësuar vetëm pasi ishte kthyer dhe kishte dëgjuar lajmet. Ai ka këmbëngulur se lëvizjet e tij mund të kontrollohen përmes kamerave të sigurisë dhe se kontrollet e policisë në banesat dhe ambientet e tij nuk kishin nxjerrë prova që e lidhnin me vrasjen.
Ndërkohë, ka hedhur edhe një tjetër pretendim, duke thënë se kishte mësuar se për eliminimin e tij ishte ofruar një shumë e madhe parash. Sipas tij, qëllimi ishte që dosja e atentatit të mbyllej pa u zbuluar autorët e vërtetë.











