Një ngjarje e rëndë kriminale ka tronditur zonën e Dukagjinit, ku një sulm me armë zjarri i mori jetën dy personave dhe la të plagosur një tjetër.
Viktimat janë babë e bir, Prelë Gjoni, 82 vjeç, dhe Lekë Gjoni, 57 vjeç. Me ta në automjet udhëtonte edhe Lazër Bashi, i cili mbeti i plagosur, por raportohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Sipas të dhënave paraprake, atentati ka ndodhur rreth orës 16:00, në rrugën e fshatit Xhan. Babë e bir po largoheshin nga banesa e tyre e vjetër në Dukagjin dhe po udhëtonin në drejtim të Shkodrës. Teksa ndodheshin ende në rrugën e fshatit, ndaj automjetit është qëlluar me armë zjarri nga persona ende të paidentifikuar.
Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar mbi 50 gëzhoja. Hetimet paraprake dyshojnë se autorët kanë përdorur dy armë, një kallashnikov dhe një MP5, çka ka ngritur dyshimet se sulmi mund të jetë kryer nga të paktën dy persona. Lazër Bashi, i cili ndodhej në pjesën e pasme të automjetit, ka arritur të mbijetojë. Fillimisht ai është transportuar në Spitalin e Shkodrës dhe më pas është dërguar në Tiranë për të marrë trajtim më të specializuar.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në zonë janë dërguar forca të shumta policie, së bashku me efektivë të RENEA-s. Policia është vënë në dijeni rreth orës 17:20, ndërsa mbërritja e forcave në vendngjarje është bërë rreth orës 19:00.
Terreni i vështirë malor dhe distanca e konsiderueshme kanë penguar ndërhyrjen e shpejtë të shërbimeve policore. Përpara hetuesve, familjarët kanë deklaruar se Prelë dhe Lekë Gjoni nuk njiheshin për konflikte me persona të tjerë dhe se nuk kishin dijeni për ndonjë kërcënim të mëparshëm. Sipas dëshmive të tyre, një ditë para ngjarjes, të dy kishin shkuar në banesën e vjetër në Dukagjin, ku mbanin edhe disa koshere bletësh, ndërsa në momentin e atentatit po ktheheshin drejt banesës së tyre në zonën e Grudës, në Shkodër.
Një ndër pistat që po verifikohet nga grupi hetimor lidhet me jetën personale të 57-vjeçarit. Rreth tre muaj më parë, Lekë Gjoni ishte divorcuar nga bashkëshortja, me të cilën kishte katër fëmijë. Megjithatë, deri në këtë fazë nuk është evidentuar ndonjë provë që ta lidhë këtë rrethanë me vrasjen dhe për këtë arsye ajo mbetet vetëm një pistë e hetimit.
Policia po verifikon në të njëjtën kohë edhe aktivitetin e viktimës. Lekë Gjoni punonte me një kamion dhe, sipas të dhënave të mbledhura, ditët e fundit kishte transportuar materiale ndërtimi për një banesë në fshatin Gjuraj të Dukagjinit. Ai zotëronte gjithashtu një eskavator, me të cilin kryente punime së bashku me një tjetër banor të zonës.
Për zbardhjen e atentatit, hetuesit po përballen me disa vështirësi, veçanërisht për shkak të terrenit të thepisur malor, mungesës së mbulimit telefonik dhe kamerave të sigurisë. Gjithashtu, vonesa mes momentit të sulmit dhe mbërritjes së policisë dyshohet se mund t’u ketë krijuar autorëve mundësinë për t’u larguar nga zona. Policia dhe Prokuroria vijojnë punën për identifikimin e personave që qëlluan mbi automjetin, rindërtimin e plotë të dinamikës së ngjarjes dhe përcaktimin e motivit që qëndron pas vrasjes së dyfishtë.











