Një aksident i rëndë automobilistik ka ndodhur rreth orës 02:22 të mëngjesit të sotëm, në rrugën dytësore Manzë-Kullë, ku tre persona kanë humbur jetën dhe dy të tjerë janë plagosur.
Sipas të dhënave paraprake, drejtuesi i automjetit, 25-vjeçari Kleo Vrioni, ka humbur kontrollin mbi mjetin, i cili është përplasur me një bordurë betoni. Përplasja ka qenë fatale për drejtuesin e automjetit, bashkëshorten e tij, 26-vjeçaren Sara Brugentelli, dhe 15-vjeçarin Alvi Muhaxhiri, të cilët kanë ndërruar jetë në vendngjarje.
Viktimat janë nga Sukthi, ndërsa Sara Brugentelli shtetase italiane.
Ndërkohë, dy të plagosurit, 26-vjeçari Rejsi Vrioni dhe një 16-vjeçar me inicialet K.D., janë transportuar drejt Tiranës për mjekim të specializuar. Gjendja e 16-vjeçarit raportohet e rëndë. Paraprakisht, të rinjtë dyshohet se po ktheheshin nga një lokal nate në zonën e Maminasit.











