Dita e sotme mund të sjellë një nga transferimet më të bujshme në historinë e futbollit. Chelsea ka vendosur një afat të rreptë deri të premten në orën 17:00 BST për çdo klub, përfshirë Manchester Cityn, që dëshiron të bëjë një ofertë për Enzo Fernandez, i cili vlerësohet me 120 milionë paund. Burimet pranë klubit londinez bëjnë me dije se nëse City nuk vepron sot, mundësia do të digjet dhe argjentinasit do t’i duhet të qëndrojë në Londër të paktën deri verën e ardhshme.
Ky operacion i mundshëm lidhet ngushtë edhe me lëvizjet e tjera në treg, ku flitet se një marrëveshje për Fernandez varet nga shitja e mesfushorit spanjoll Rodri te Barcelona. Për trajnerin e ri të Cityt, Enzo Maresca, ribashkimi me Fernandezin do të ishte një goditje e madhe, pasi dyshja ka bashkëpunuar ngushtë gjatë kohës së tyre te Chelsea. Megjithatë, një transferim i tillë rrezikon të shtojë tensionet dhe armiqësinë ekzistuese mes dy klubeve, të cilat nuk i kanë raportet aspak të mira pas kalimit të bujshëm të vetë Marescës nga Londra në Mançester.
Nëse City vendos ta mbyllë marrëveshjen, ky do të ishte transferimi i katërt më i shtrenjtë në histori. City ka shpenzuar tashmë shifra marramendëse këtë verë, duke përfshirë blerjen e Elliot Anderson nga Nottingham Forest për 116 milionë paund, ndërkohë që po përgatitet gjithashtu për një epokë të re pas largimit të legjendarit Pep Guardiola.
Nga ana e tyre, drejtuesit e Chelseat e shohin këtë situatë si një mundësi fituese në çdo skenar: ose mbajnë një lojtar kyç, ose arkëtojnë një shifër rekord prej 120 milionë paundësh që do t’u jepte hapësirë për të bërë lëvizje të reja në treg para mbylljes zyrtare të merkatos më 1 shtator.











