Një unazë prej ari 18 karatësh, e zbukuruar me 321 diamante, është bërë objekt diskutimesh në SHBA, pasi iu dhurua Presidentit amerikan Donald Trump nga organizata që përfaqëson industrinë e diamanteve në Belgjikë.
Unaza iu dorëzua më 28 qershor ambasadorit amerikan në Belgjikë, Bill White, në kuadër të 250-vjetorit të Shteteve të Bashkuara.
Dhurata vjen vetëm disa javë pasi administrata Trump vendosi të përjashtojë diamantet natyrale evropiane nga tarifat e reja amerikane, duke rikthyer aksesin pa tarifa për industrinë belge të diamanteve.
Ky zhvillim ka ngritur pikëpyetje në Kongresin amerikan.
Senatorët demokratë Elizabeth Warren dhe Richard Blumenthal u kanë kërkuar shpjegime organizatës belge, ku paralajmërojnë se rasti krijon një shfaqje të dukshme të parregullsisë.
Ata kërkojnë të dinë vlerën e saktë të unazës, e cila, sipas raportimeve, vlerësohet nga 25 deri në 35 mijë dollarë, si edhe nëse ka pasur diskutime për tarifat me administratën amerikane përpara vendimit.
Por Shtëpia e Bardhë mohon çdo favorizim dhe thotë se përjashtimi i diamanteve ishte në përputhje me marrëveshjet tregtare me Bashkimin Evropian.











