Një video ku shfaqet një baba duke puthur vajzën e tij në buzë është bërë virale në rrjetet sociale, duke shkaktuar reagime të shumta dhe mendime të ndara mes përdoruesve.
Disa e konsiderojnë një shprehje dashurie dhe afërsie familjare, ndërsa të tjerë kanë ngritur diskutime mbi kufijtë e shfaqjes së afeksionit mes prindërve dhe fëmijëve.
Kjo temë ka qenë objekt debati edhe në Shqipëri. Një nga rastet më të përfolura ishte ai i balerinit të njohur Ilir Shaqiri, i cili gjatë pjesëmarrjes në “Big Brother VIP” u shfaq duke shkëmbyer puthje në buzë me vajzën e tij. Pamjet sollën reagime të shumta në rrjet, duke ndarë opinionin publik në dy qëndrime.
Nga njëra anë, kritikët e cilësuan gjestin si “të papërshtatshëm”, “të gabuar” dhe “të çuditshëm”, ndërsa të tjerë e mbrojtën duke e konsideruar si një shfaqje dashurie dhe afërsie mes një prindi dhe fëmijës. “Po ku ka si përqafimi e puthja e fëmijës, o njerëz që çdo gjë ju duket e keqe?”, shkroi një përdorues në mbështetje të tij.
Një tjetër rast më i fundit u diskutua në formatin televiziv “Ferma VIP”, ku këngëtarja Vanesa Sono shkëmbeu një puthje në buzë me vëllain e saj gjatë një surprize familjare. Edhe kjo pamje nxiti reagime të shumta dhe një debat të gjerë në rrjetet sociale.
Ndërkohë, videoja e fundit që po qarkullon online vazhdon të gjenerojë diskutime, ndërsa ende nuk janë bërë publike detaje mbi identitetin e personave që shfaqen në të apo rrethanat e regjistrimit.











