Gjatë protestës së sotme, e cila u zhvillua para Kryeministrisë, një prej pjesëmarrësve humbi ndjenjat, duke shkaktuar shqetësim mes protestuesve të tjerë.
Menjëherë u kërkua ndërhyrja e një mjeku të pranishëm, i cili iu afrua qytetarit për t’i ofruar ndihmën e parë dhe për të stabilizuar gjendjen e tij shëndetësore.
Pas ndërhyrjes së shpejtë të mjekut, qytetari arriti të ngrihej në këmbë. Protestuesit e pranishëm shpërthyen në duartrokitje, duke shprehur mirënjohje si për mjekun ashtu edhe për vetë qytetarin.
Kujtojmë se protesta e sotme shënon ditën e saj të 65-të. Qytetarët janë mbledhur në sheshin “Skënderbej”, prej nga janë nisur drejt Kryeministrisë, mes thirrjesh dhe brohoritjesh që kërkojnë largimin e kryeministrit dhe rrëzimin e sistemit politik 36-vjeçar.
Protesta ka nisur më 31 maj, fillimisht si reagim ndaj zhvillimeve në zonën e Zvërnecit, për t’u shndërruar më pas në një lëvizje qytetare më të gjerë. Prej më shumë se dy muajsh, protestuesit mbajnë fjalime poshtë zyrës së kryeministrit dhe marshojnë në rrugët kryesore të kryeqytetit, me thirrje për dorëheqje dhe me pankarta në duar.
Ata vazhdojnë të shprehin pakënaqësi për sektorë të ndryshëm të jetës në vend, duke përfshirë ekonominë, çmimet e larta, pagat e ulëta dhe mosfunksionimin e institucioneve.











