Shqiptarët do vijojnë të dënden me mish të pakontrolluar nga Brazili edhe pas datës 3 shtator 2026, megjithëse Bashkimi Europian ka vendosur që pas kësaj date të ndalojë eksportin e mishit nga vendi i Amerikës së Jugut, me argumentimin se dëmton shëndetin publik. Por, për ministrin tonë të Bujqësisë, Andis Salla, një vendim i tillë nuk është fare problem, aq sa vazhdon i qetë dhe të mos nxjerrë asnjë urdhër apo rregullore se si do të vijojë të mbërrijë në Shqipëri një mish i tillë!
Natyrisht, lobimet e grupeve të interesit duket se janë më të rëndësishme sesa shëndeti i popullatës, aq më tepër pas një vendimi tepër të rëndësishëm të Bashkimit Europian, që shkruan se “brazilianët përdorin pa kriter antibiotikë në blegtori”. Në këtë rast, ministri Salla vetëm sa duhet të “noterizonte” vendimin e BE-së dhe jo t’a injorojë, siç ka bërë deri më tani, duke qenë se afati kohor është tepër i ngushtë, teksa na ka ngelur edhe 1 muaj për të vendosur se çfarë do të bëjmë me këto produkte.
Dhe nëse nuk vepron, siç ka shumë gjasa të ndodhë, i gjithë tregu dhe popullata do të jetë në një situatë aspak normale, me konsumatorin që do të ndjejë rrezikun e një produkti jo të përshtatshëm dhe nga bizneset që do të fillojnë fushata se “mishi është i shëndetshëm”. Rregullatori në këtë rast është vetëm firma e ministrit Salla, i cili duket se është para dy zgjedhjeve tepër të rëndësishmë, të cilat me shuma gjasa do të shënjojnë edhe vijimin e karrierës së tij në politikë.
Një situatë sureale, pasi importi i mishit të gjedhit dhe të shpendëve nga Brazili rrezikon të mbetet pa bazë ligjore të zbatueshme nga 3 shtatori, ndërsa certifikatat veterinare për mishin e derrit vazhdojnë të jenë të ngrira që në vitin 2006. Ministria e Bujqësisë duhet të vendosë tani nëse do të përafrohet me kërkesat e reja të Bashkimit Evropian, apo do të lejojë vazhdimin e importit në një zonë gri ligjore, në kurriz të konsumatorit?!
Urdhri i 20 viteve më parë!
Sipas informacioneve që disponon Vox News, në themel të çështjes qëndron urdhri i ministrit me numër 294, i datës 13 qershor 2006, ‘mbi importin e mishit nga Republika Federative e Brazilit”. Ky akt, i miratuar njëzet vjet më parë në kuadër të një marrëveshjeje dypalëshe mes autoriteteve veterinare shqiptare dhe atyre braziliane, ka lejuar deri tani hyrjen në Shqipëri të mishit të gjedhit, të derrit dhe të shpendëve nga Brazili.
“Mekanizmi ligjor për mishin e gjedhit dhe të shpendëve mbështetej te një kusht i vetëm: prodhimi duhej të vinte nga stabilimente dhe zona të miratuara nga Bashkimi Evropian. Kjo ishte ‘bileta e hyrjes’, nëse një thertore apo fabrikë brazilianë ishte e certifikuar për të eksportuar drejt BE-së, ajo automatikisht plotësonte kushtet edhe për tregun shqiptar” thuhej në këtë marrëveshje.
Por, ky mekanizëm tashmë ka rënë. Me rregulloren e re zbatuese të BE-së, 2026/1189, që ndryshon rregulloren e vitit 2021, Komisioni Evropian ka vendosur që, “duke nisur nga 3 shtatori 2026, Brazili të mos jetë më i listuar si vend i autorizuar për eksportin e mishit të gjedhit dhe të shpendëve drejt BE-së”.
Sipas tyre, arsyeja lidhet me mungesën e garancive të kërkuara sipas legjislacionit evropian për kufizimin e përdorimit të disa produkteve antimikrobiale veterinare. “Praktika që lidhen me përdorimin e antibiotikëve në blegtori, një shqetësim në rritje për shëndetin publik në nivel global” thuhej në vendim.
Aktualisht, pasoja për Shqipërinë është e drejtpërdrejtë, pasi asnjë stabiliment brazilian nuk do të jetë më i miratuar nga BE-ja për këto kategori, kushti i vendosur nga Urdhri i vitit 2006 mbetet praktikisht i pazbatueshëm. Në terma të thjeshtë, ligji shqiptar do të vazhdojë të kërkojë diçka që nuk do të ekzistojë më!
Alarmi i AKU-së
Situata nuk ka kaluar pa u vënë re nga strukturat e kontrollit, pasi Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, i ka drejtuar Ministrisë së Bujqësisë, më 24 korrik 2026, shkresën me numër 4095, duke kërkuar shprehimisht marrjen e masave përmes një urdhri të ri ministror për të vendosur si do të vazhdojnë procedurat e importit në pikat e inspektimit kufitar (PIK) pas datës 3 shtator.
Sipas informacioneve që disponon Vox News, AKU e mbështet kërkesën e saj në nenin 47 të ligjit me numër 9863, të datës 28 janar 2008, “për ushqimin”, i cili i jep ministrit përgjegjës kompetencën të urdhërojë ndalimin e përkohshëm të importit nga një vend i caktuar, kur ushqimi paraqet rrezik serioz për shëndetin e njerëzve ose kur kërkohen masa për garantimin e sigurisë ushqimore.
Fakti që një kërkesë e tillë vjen vetëm rreth 40 ditë para hyrjes në fuqi të ndryshimit evropian, sugjeron një dritare kohore të ngushtë për vendimmarrje administrative, e cila normalisht kërkon kohë për konsultime ndërinstitucionale dhe njoftim diplomatik. Tashmë ministri Salla është para një zgjedhje; të jetë me konsumatorin apo të jetë palë me grupet e interesit, për të lejuar mish të “kalbur” në tryezat e shqiptarëve?!/Vox News











