Deputetët e mazhorancës, anëtarë të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale, kanë depozituar në Kuvend propozimin për Reformën Administrativo-Territoriale 2.0.
Sipas propozimit, reforma synon një organizim më efikas të pushtetit vendor, duke krijuar modelin “Bashki – Qytet – Njësi Administrative”. Në praktikë, 28 bashki do të konsolidohen në 13 bashki të reja, duke e ulur numrin total të bashkive nga 61 në 46.

Struktura e re parashikon 46 bashki, 71 qytete përbërëse dhe 387 njësi administrative. Mazhoranca argumenton se ndryshimet janë të nevojshme për shkak të zhvillimeve demografike, ekonomike dhe kërkesave të procesit të integrimit europian.
Propozimi iu është dërguar edhe kryetarëve të bashkive dhe këshillave bashkiakë për konsultim.











