Zinedine Zidane është prezantuar zyrtarisht si trajneri i ri i kombëtares franceze, duke pasuar Didier Deschamps në krye të “Gjelave”.
Legjenda franceze kishte pritur prej vitesh këtë mundësi, duke refuzuar oferta nga klube të mëdha europiane për të realizuar ëndrrën e drejtimit të kombëtares. Kontrata e tij do të jetë e vlefshme deri në përfundimin e Kupës së Botës 2030.
“Sot për mua është vazhdimi i një rruge dhe realizimi i një ëndrre. Gjatë katër apo pesë viteve të fundit kam marrë oferta nga klube, por i kam refuzuar të gjitha për kombëtaren franceze. Kjo ishte e vetmja gjë që dëshiroja”, deklaroi Zidane.
Ndeshja e tij e parë zyrtare do të zhvillohet më 25 shtator ndaj Turqisë, në fazën e grupeve të Ligës së Kombeve. Sfida e parë në Francë do të jetë kundër Italisë, kombëtares ndaj së cilës Zidane zhvilloi edhe ndeshjen e fundit si futbollist në finalen e Botërorit 2006.
I pyetur për stilin e lojës, ish-trajneri i Real Madridit theksoi se do t’i prezantojë idetë e tij pasi të punojë nga afër me futbollistët.
“Kam një skuadër të jashtëzakonshme. Duhet të takohem me lojtarët dhe t’u shpjegoj atë që duam të ndërtojmë së bashku. Më pëlqen futbolli ofensiv dhe ajo që më motivon është të shënojmë gola”, u shpreh ai.
Zidane foli edhe për Kylian Mbappén, duke sqaruar se ende nuk ka biseduar me kapitenin dhe se prioriteti i sulmuesit është të pushojë pas Kupës së Botës.
Në fund, francezi nuk e fshehu emocionin për rikthimin në vendlindje pas një karriere të gjatë në Spanjë.
“Kjo është dita më e bukur e karrierës sime si trajner. Kam jetuar në Spanjë për 25 vjet, e dini çfarë do të thotë kjo”, përfundoi Zidane.











