Enkelejd Musabelliu, zv/Ministër i Ekonomisë dhe Inovacionit, theksoi se shqiptarët “nuk ikin vetëm sepse këtu është zi, por qytetarët ikin edhe sepse kanë një mundësi më të mirë” diku tjetër.
“Në të gjitha vendet e Europës Lindore, me rënien e sistemit komunist pati një eksod demografik drejt vendeve të zhvilluara të Europës Perëndimore. Unë mbaj mend kur kam shkuar në shkollë në Angli që gjëja e parë që më kanë treguar atje ishte hidrauliku polak që kërcënonte marrjen e vendeve të punës të të gjithë qytetarëve britanikë.
Sot Polonia është një nga ekonomitë më të mëdha të Bashkimit Europian dhe jo vetëm që të gjithë emigrantët polakë po rikthehen, por ka edhe qytetarë britanikë tashmë që po shpërngulen për të jetuar dhe për të punuar në Poloni.
Shqipëria është një vend që ka një perspektivë shumë të qartë europiane. Shqipëria është një treg i vogël dhe domosdo nuk ofron të njëjtat mundësi karriere për Mira Muratin, për shembull, krahasimisht me çfarë ofron Silicon Valley.
Shqipëria ka një dallim shumë të madh nga Polonia, se është një vend shumë i vogël, me një treg shumë të vogël, e cila nuk i ofron të gjitha mundësitë e karrierës që një qytetar me një kulturë dhe mendje shumë të hapur, siç janë qytetarët shqiptarë, mund të kërkojë nga vetja e vet”, tha Musabelliu në A2CNN.
“Patjetër që në vendet e mëdha ka industri, ka profesione, ka sektorë të caktuar të ekonomisë të cilët do i tërheqin njerëz të apasionuar pas këtyre sektorëve dhe jo vetëm shqiptarë, por europianë.
Tani çështja është që ne duhet ta trajtojmë pak më ftohtë dhe jo vetëm me debatin e zjarrtë që qytetarët po braktisin vendin e me radhë. Qytetarët nuk ikin vetëm sepse këtu është zi, por qytetarët ikin edhe sepse kanë një mundësi më të mirë atje. Pra, përveç një realiteti që ty të duket shumë i keq, por dikujt tjetër mund t’i duket më i mirë, ka dhe një mundësi shumë të mirë diku tjetër për një person të caktuar i cili do ta ndjekë. Gjithmonë do ndodhë që në vende të vogla njerëz do emigrojnë drejt vendeve të mëdha në kërkim të mundësive që ekonomitë e vogla nuk i prodhojnë dot”, shtoi zv/ministri.











