Xavi Hernández është gati për një kapitull të ri në karrierën e tij si trajner, por këtë herë jo në futbollin e klubeve.
Legjenda e Barcelonës ka pranuar hapur se hapi i radhës mund të jetë drejtimi i një kombëtareje. Ish-trajneri i katalanasve dëshiron të provojë emocionet e turneve të mëdhenj ndërkombëtarë, si Kupa e Botës, Europiani, Kupa e Afrikës apo Kupa e Azisë.
“Do të jem i sinqertë: një kombëtare do të më përshtatej. Kjo është ajo që dua”, u shpreh Xavi.
Një nga arsyet kryesore lidhet edhe me familjen. Sipas tij, puna e përditshme në një klub kërkon shumë kohë dhe e bën të vështirë qëndrimin pranë fëmijëve të tij të vegjël.
Megjithatë, Xavi nuk e fsheh as ambicien sportive. Spanjolli kërkon të jetë protagonist si trajner në një kompeticion madhor me kombëtare.
“Kam shumë dëshirë të punoj si trajner në një Kupë Bote, në Europian, në Kupën e Afrikës apo në Kupën e Azisë”, shtoi ai.
Gjatë periudhës së tij te Barcelona, Xavi fitoi titullin kampion në La Liga në sezonin 2022/23 dhe Superkupën e Spanjës, duke lënë pas një kapitull të rëndësishëm në klubin ku shkroi histori edhe si futbollist.











