Policia e Vlorës ka reaguar zyrtarisht lidhur me atentatin e ndodhur mbrëmjen e kësaj të premteje në Sarandë, ku mbeti i plagosur me armë zjarri 50-vjeçari Thimjo Rubati.
Sipas informacionit paraprak, ngjarja ndodhi rreth orës 21:15 në lagjen nr. 4 të qytetit, pranë biznesit të 50-vjeçarit.
Burime bëjne më dije se Rubati ka marrë 3 plumba një në kofshë, një në bark dhe një në krahun e djathtë. Si pasojë e plagëve të marrë, Rubati është nisur me urgjence në Tiranë për trajtim mjekësor.
Menjëherë pas të shtënave, në vendngjarje mbërritën forca të shumta policie, të cilat ngritën pika kontrolli dhe nisën kërkimet për autorët.
Nga të dhënat e para hetimore, dyshohet se sulmi është kryer nga dy persona të pajisur me skafandra, të cilët janë larguar me një motomjet menjëherë pas atentatit. Deri tani, policia nuk ka dhënë detaje mbi motivin e dyshuar të atentatit.
Policia tha:
“Rreth orës 21:15, në lagjen nr. 4, në Sarandë, në rrethana ende të paqarta, është plagosur me armë zjarri para biznesit të tij, shtetasi Th. R., 50 vjeç. Ai është transportuar në spital, ku po merr ndihmë mjekësore.
Shërbimet e Policisë kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe vijojnë kontrollet intensive në zonë për identifikimin dhe kapjen e autorit/ve. Nga të dhënat e para dyshohet se autorët kanë qenë dy persona me skafandra, të cilët janë larguar nga vendngjarja me motomjet.
Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet në vendngjarje për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.”,njofton policia.
Kush është 50-vjeçari Thimjo Rubati?
Burime bëjnë me dije se Thimjo Rubati është një person me precedentë penalë, i njohur nga autoritetet për vepra që lidhen me trafikimin e emigrantëve të paligjshëm, kontrabandën, armëmbajtjen pa leje dhe trafikimin e mjeteve motorike. Po ashtu ka dy identitete pasi njihet edhe si Sandri Rubati.
Emri i tij nuk është i panjohur për policinë pasi në vitin 2002 është arrestuar për trafikim minorenësh ndërsa në vitin 2012 për rrëmbimin e një 16-vjeçareje.











