Një atentat me armë zjarri është regjistruar mbrëmjen e sotme në qytetin e Sarandës, ku ka mbetur i plagosur rëndë 50-vjeçari Thimjo Rubati alias Sandër Rubati.
Mësohet se Rubati është transportuar me urgjencë në Spitalin e Sarandës dhe ndodhet aktualisht në sallën e operacionit, në gjendje të rëndë shëndetësore.
Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se bëhet fjalë për një atentat të organizuar, pasi 50-vjeçari është qëlluar me armë zjarri nga dy persona të maskuar, të cilët dyshohet se lëviznin me një motomjet në lagjen nr. 4 të Sarandës.
Pas të shtënave, autorët janë larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa Policia ka ngritur pika kontrolli dhe ka blinduar hyrje-daljet e qytetit në përpjekje për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Thimjo Rubati rezulton një person me precedentë të shumtë penalë, pasi në vitin 2002 është arrestuar për trafikim minorenësh ndërsa në vitin 2012 për rrëmbimin e një 16-vjeçareje. Si dhe për veprat penale që lidhen me trafik klandestinësh, kontrabandë, armëmbajtje pa leje, si dhe trafik të mjeteve motorike.
Detajet e para të hetimit tregojnë se ngjarja ka ndodhur vetëm pak metra larg vendit ku një natë më parë u dhunua oficeri i Policisë Mihal Velço.
Për këtë ngjarje, policia ka shpallur në kërkim djalin e Thimjo Rubatit, Andrea Rubati, 27 vjeç, së bashku me dy persona të tjerë, Antonio Lefteri dhe Engjëll Dalanaj, të tre me precedentë penalë.











