Policia e Elbasanit ka nisur hetimet ndaj dy personave pasi pasditen e sotme kanosën për shkak të detyrës gazetarin Osman Stafa pas një denoncimi të kryer nga ky i fundit për ndotjen e lumit Shkumbin.
Sipas Stafës, ai ndodhej në zonë për të verifikuar denoncimet e banorëve lidhur me nxjerrjen e inerteve nga shtrati i lumit. Ai filmoi mjete të rënda që po merrnin zhavor në shtratin e lumit Shkumbin.
Policia thotë se pas denoncimit të gazetarit: Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan, nën drejtimin e Prokurorisë, kryen veprimet e para hetimore dhe nisën procedimin penal për veprën penale “Kanosja për shkak të detyrës”, ndaj shtetasve R. T., 33 vjeç, banues në Tiranë dhe A. B., 31 vjeç, banues në Librazhd.
Më datë 17.07.2026, rreth orës 14:00, në Sallën Operative të Policisë ka njoftuar shtetasi O. S., gazetar, i cili ka deklaruar se, gjatë lëvizjes në aksin rrugor Librazhd–Elbasan, është ndjerë i kanosur nga dy shtetas që udhëtonin me një automjet.Pas kryerjes së veprimeve të para hetimore dhe administrimit të provave, nisi procedimi penal ndaj dy shtetasve për veprën penale “Kanosja për shkak të detyrës”.











