Futbolli afrikano-jugor është tronditur nga lajmi i rëndë për ndarjen nga jeta të Jayden Adams, lojtarit që përfaqësoi Afrikën e Jugut në Kupën e Botës 2026.
Sipas mediave në Afrikën e Jugut, trupi i futbollistit 25-vjeçar u gjet pa jetë në një hotel në Cape Town, vetëm pak ditë pas eliminimit të kombëtares së tij nga Botërori. Shkaku i vdekjes ende nuk është bërë i ditur, ndërsa hetimet sapo kanë nisur.
Lajmi u konfirmua edhe nga përfaqësuesit e lojtarit, ndërsa shoqata e futbollistëve në Afrikën e Jugut reagoi me një mesazh ngushëllimi në rrjetet sociale.
“Jayden përfaqësoi së fundmi Afrikën e Jugut në Kupën e Botës 2026, duke mbajtur me krenari, guxim dhe dinjitet shpresat e një kombi. Ndarja e tij nga jeta është një humbje e pamatshme për familjen, shokët e skuadrës, klubet, komunitetin e futbollit dhe vendin në tërësi”, thuhej në reagim.
Adams konsiderohej një nga talentet në rritje të kampionatit afrikano-jugor. Mesfushori debutoi si titullar në ndeshjen hapëse ndaj Meksikës në stadiumin “Azteca”, më pas luajti sërish nga minuta e parë kundër Çekisë dhe mori minutat e fundit në sfidën ndaj Koresë së Jugut.
Vdekja e tij e papritur ka shkaktuar tronditje të madhe në Afrikën e Jugut dhe në botën e futbollit, duke i dhënë fund shumë herët karrierës së një lojtari që kishte ende shumë për të dhënë.











