Tensione janë shënuar mbrëmjen e sotme pranë Komisariatit Nr. 3 në Tiranë. Disa protestues kanë thyer xhamat e godinës së komisariatit.
Policia ka ndërhyrë me makinën e ujit në përpjekje për të shpërndarë turmën. Përplasja krijoi tensione dhe bllokimin e rrugëve në ketë zonë.
Pas përfundimit të protestës së 35-të para Kryeministrisë, një grup protestuesish marshoi drejt Komisariatit Nr. 3, ku mbahen disa nga personat e arrestuar pas incidenteve të ndodhura gjatë protestës së së martës para Parlamentit. Protestuesit kërkuan lirimin e tyre, ndërsa situata u tensionua për disa minuta përpara godinës së komisariatit.
Rreth orës 00:30, protesta para Komisariatit Nr. 3 u shpërnda. Pas ndërhyrjes së forcave të policisë me makinën e ujit, protestuesit u larguan nga zona.











