Policia ka arrestuar Granit Pepnikajn, i konsideruar si “koka” e rrjetit të call centerave në Tiranë, i dyshuar për përfshirje në një skemë të madhe mashtrimi kompjuterik dhe pastrimi parash.
Ai u lokalizua dhe u ndalua në kompleksin “Olea Residence” në Dhërmi, pas një operacioni të zhvilluar nga Policia e Vlorës.
Operacioni është kryer në bashkëpunim me autoritetet austriake, të cilat kanë ndihmuar në zbardhjen e një skeme të sofistikuar mashtrimi që dyshohet se ka funksionuar përmes strukturave të organizuara të kamufluara si kompani legjitime.
Sipas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), këto struktura kanë operuar duke mashtruar qytetarë në vende të Bashkimit Europian, me përfitime të dyshuara që tejkalojnë 50 milionë euro.
Hetimet dyvjeçare kanë zbuluar një rrjet të mirëorganizuar që përdorte call center-a për të kryer mashtrime financiare.
Gjykata e Tiranës kishte caktuar më herët masën e sigurisë “arrest me burg” për Pepnikajn, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar në kuadër të këtij hetimi.
Ai dyshohet për veprat penale të mashtrimit kompjuterik dhe pastrimit të parave, ndërsa ndaj tij ishte lëshuar edhe urdhër arresti pas identifikimit si një nga figurat kryesore të grupit.
Nga hetimet rezulton se Pepnikaj zotëronte 50 për qind të aksioneve të kompanisë “Gama Media Communication”, e themeluar në vitin 2021 së bashku me ortakun e tij Jurgen Mela.
Kompania, sipas të dhënave hetimore, kishte pushuar aktivitetin pas rreth 8 muaj e gjysmë funksionimi.











