Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me pensionistë, ku është ndalur edhe te debati që ka shoqëruar projektin e investimit turistik në zonën e Zvërnecit. Gjatë bashkëbisedimit, kreu i qeverisë mbrojti investimet strategjike në turizmin elitar, duke theksuar se resortet luksoze nuk janë struktura të mbyllura që përfitojnë vetëm turistët e huaj, por projekte që gjenerojnë punësim, nxisin prodhimin vendas dhe krijojnë zhvillim për ekonominë e vendit.
Rama: Ne na duhet që të kemi infrastruktura mikpritjete të një niveli tjetër, ata njerëz që lënë shumë para duan tjetër nivel. Gjithfarë lloj sharlatanësh, delirantësh, dështakësh që janë sprovuar në skenën publike dhe që kanë akumulaur një mllef shumë të madh sepse u duket se dështimi i tyre është për fajin tim dhe për fajin e qeverisë tonë bëjnë teorira dhe i hedhin popullit gjithfarë aguridhesh që këto restorte të luksit janë vetëm për ata që vijnë dhe shqiptarët janë jashtë sistemit, kjo është çmenduri. Ato janë fabrika që krijojnë lëvizje në ekonomi, nuk janë sisteme të mbyllura që vijnë njerëzit që futen dhe ikin dhe nuk i sheh njeri. Gjithë ekonomia rreth e rrotull vihet në lëvizje, sepse ato ”fabrika” kanë nevojë për gjithë sistemin e prodhimit. Është diçka masive, transformuese. Kanë një impakt tjetër, hapin rrugën për të tjerët. Nëse ti i vë shkelmin në fyt, ti ke përzënë të tjerët. Çfarë lë bërë? I ke falur konkurrencës atë që mezi është bërë e mundur të të vijë ty. Këto janë çudira shqiptare.











