Franca po jep një tjetër sinjal të fortë në Kupën e Botës 2026. Nuk është vetëm forca sulmuese ajo që duhet të shqetësojë rivalët, por edhe uniteti, qetësia dhe mënyra se si kjo skuadër po luan si një grup i bashkuar.
Fitorja 3-0 ndaj Suedisë ishte një tjetër demonstrim force nga skuadra e Didier Deschamps. “Gjelat” dominuan, krijuan shumë raste dhe siguruan kualifikimin mes 16 më të mirave të Botërorit, duke treguar se janë një nga favoritet kryesore për trofeun.
Momenti më emocional i ndeshjes erdhi pas golit të parë të Kylian Mbappé. Kapiteni francez vrapoi menjëherë drejt stolit për të përqafuar Deschamps, i cili ishte rikthyer në pankinë pas ditëve të vështira personale, pas humbjes së nënës së tij. Më pas, të gjithë lojtarët iu bashkuan përqafimit, duke treguar edhe një herë forcën e grupit.
“Ky grup është i bashkuar. Fryma e skuadrës nuk të fiton gjithmonë ndeshjet, por nëse nuk e ke, mund t’i humbësh ato. Forca kolektive është mbi gjithçka”, u shpreh Deschamps pas ndeshjes.
Në fushë, Franca ishte thuajse e pandalshme. Mbappé shënoi dy herë, Bradley Barcola realizoi golin tjetër, ndërsa Michael Olise dha dy asiste dhe vazhdoi të konfirmohet si një nga lojtarët më vendimtarë të këtij Botërori.
Sulmi francez po tremb të gjithë. Mbappé, Dembélé, Olise dhe Barcola krijojnë vazhdimisht rrezik, ndërrojnë pozicionet dhe e bëjnë mbrojtjen kundërshtare të vuajë në çdo aksion. Franca ka shënuar 13 gola në katër ndeshje dhe është bërë skuadra e parë në historinë e Botërorit që realizon tre ose më shumë gola në pesë ndeshje radhazi.
Edhe statistikat tregojnë dominimin e tyre. Ndaj Suedisë, Franca regjistroi 25 goditje, numri më i lartë i saj në një ndeshje Botërori që nga viti 1998. Përveç efikasitetit në sulm, skuadra e Deschamps po tregon edhe stabilitet në mbrojtje, duke u shfaqur e balancuar në çdo repart.
Kritikat që Mbappé mori gjatë sezonit me Real Madrid duken tashmë larg. Me Francën, ai po shfaq versionin më të mirë të vetes, duke udhëhequr skuadrën si kapiten dhe duke qenë vendimtar në momentet kryesore.
Por fuqia e Francës nuk qëndron vetëm te Mbappé. Ousmane Dembélé ka qenë fantastik me gola dhe asiste, Olise është kthyer në një organizator të jashtëzakonshëm të lojës, ndërsa Barcola po jep shpejtësi, lëvizje dhe finalizim.
Ish-lojtarë dhe analistë e kanë cilësuar Francën si skuadrën për t’u mundur në këtë Botëror. Edhe trajneri i Suedisë, Graham Potter, pranoi pas ndeshjes se nuk kishte parë një ekip më të mirë se Franca.
Megjithatë, Deschamps kërkon qetësi. Trajneri francez nuk dëshiron eufori të tepruar dhe ka theksuar se skuadra duhet të qëndrojë me këmbë në tokë, pasi rruga drejt finales është ende e gjatë.
Franca tani do të përballet me Paraguajin në fazën e 16 më të mirave. Nëse vazhdon me këtë ritëm, pyetja bëhet gjithnjë e më e madhe: a mund ta ndalë dikush këtë Francë?










