Familjarët e Eglant Koçit kanë mbërritur në zonën pranë fshatit Cerujë, në Elbasan, ku sot është gjetur një trup i pajetë që dyshohet se i përket 34-vjeçarit të zhdukur prej dy javësh.
Sipas informacioneve paraprake, policia ka lokalizuar trupin e një personi në një zonë të thellë, ndërsa grupi hetimor po punon për identifikimin përfundimtar të viktimës. Në vendngjarje kanë mbërritur edhe familjarët e Koçit.
Eglant Koçi u pa për herë të fundit më 4 qershor pranë sheshit “Wilson” në Tiranë, teksa lëvizte me motor. Një ditë më vonë, familjarët e denoncuan zhdukjen e tij në polici.
34-vjeçari rezultonte i punësuar në një mobilieri, ndërsa hetuesit po verifikojnë edhe përfshirjen e mundshme të tij në aktivitetin e kriptomonedhave, pistë që mbetet në fokus të hetimeve.
Ndërkohë, vijon kërkimi për Armand Shakajn, i konsideruar si personi kryesor i dyshuar në këtë çështje. Sipas burimeve hetimore, ai dyshohet se ka ndryshuar gjashtë numra telefoni për t’iu shmangur gjurmimit nga policia. Numrat, të regjistruar në emrin e tij dhe të familjarëve, rezultojnë të jenë përdorur kryesisht në Tiranë.










