Një gabim që po hetohet si neglizhencë fatale i mori jetën një 21-vjeçareje në Brazil, pasi punonjësit e një aktiviteti ekstrem dyshohet se e hodhën nga ura pa e lidhur me pajisjen kryesore të sigurisë.
Maria Eduarda Rodrigues de Freitas humbi jetën pasi ra nga një urë e braktisur hekurudhore në Limeira të Sao Paulos. Sipas dëshmive dhe pamjeve të publikuara në mediat braziliane, e reja u lëshua nga lartësia prej rreth 40 metrash, ndërsa litari që duhej të frenonte rënien e saj kishte mbetur ende në platformë.
Videoja e regjistruar pak sekonda para tragjedisë tregon dy punonjës që e mbajnë 21-vjeçaren nga krahët dhe këmbët dhe e çojnë drejt skajit të urës. Në momentin që ajo lirohet, dëgjohen thirrje paniku nga personat e pranishëm.
“Litarin, njerëz, litarin!”, dëgjohet të bërtasë një prej tyre. Menjëherë më pas kamera tregon pajisjen e sigurisë të mbetur në platformë, ndërsa e reja bie drejt tokës.
Në vendngjarje mbërritën ekipet e emergjencës, por 21-vjeçarja u shpall e vdekur nga plagët e marra. Dëshmitarët i thanë policisë se stafi kishte harruar të lidhte pajisjen e sigurisë para hedhjes.
Pas ngjarjes, disa persona u shoqëruan nga policia, ndërsa autoritetet kanë nisur hetime për të përcaktuar nëse vdekja e të resë erdhi si pasojë e neglizhencës.
Vetëm pak orë para tragjedisë, 21-vjeçarja kishte postuar në rrjetet sociale foto nga vendi ku do të zhvillohej aktiviteti, pa e ditur se ai udhëtim do t’i kushtonte jetën.










